Dy ditë para takimit të 27 qershorit në Washington, Kosova dhe Serbia do të ulen në tryezën e bisedimeve në Bruksel.
Të enjten më 25 qershor në Bruksel do të udhëtojnë pala kosovare dhe ajo serbe për të rifilluar dialogun që është ndërprerë prej kohësh.
Burime të Gazetës Online “Reporteri.net” thonë se nuk është vendosur ende nëse do të ketë takim kokë me kokë me palën serbe, apo vetëm me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, në këtë rast emisarin Miroslav Lajçak.
Ndërsa nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Kosovën, pasi nga zyra e kryeministrit kanë thënë për mediat se Hoti shkon në Bruksel për vizitë bilaterale, jo për dialog.
Vazhdimi i dialogut në Bruksel, pason vizitën e përfaqësuesit të posaçëm BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.
Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t’i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Lajçak të hënën po qëndron në Beograd ku është planifikuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe në takimin e Washingtonit më 27 qershor pritet të marrë pjesë edhe një përfaqësues nga Bashkimi Evropian. /Reporteri.net/.