Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Peter Stano, deklaroi se si rezultat i takimeve të Miroslav Lajcak në Prishtinë dhe në Beograd, palët kanë rënë dakord që dialogu të rinisë në në Bruksel në muajin korrik, ndërsa po punohet ende mbi kalendarin e datave konkrete.
Stano sqaroi edhe se vizitat e kësaj jave në Bruksel do të jenë individuale dhe me përfaqësuesit e lartë të institucioneve, dhe se ato nuk pritet të shënojnë rinisjen e dialogut.
“Dialogu do duhej të rinisë në korrik, muajin që vjen. Data konkrete do të përcaktohet dhe do të njoftohet në kohën e duhur.
“Të dyja palët kanë rënë dakort për rinisjen e dialogut dhe datat apo kuadri i Korrikut ndodhen në tryezë për ta realizuar atë. Por nuk do të ndodhë këtë javë, meqë ka patur disa spekulime që sugjerojnë se përfaqësuesit e palëve do të takohen këtë javë në Bruksel. Nuk është kështu. Gjithsesi ata do të bëjnë vizita individuale në Bruksel nga fundi i javës,” tha Stano.
Ndërsa këshilloi se për takimet e kësaj jave në Bruksel informacioni duhet marrë në zyrën e Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, Stano shtoi se puna për rinsjen e dialogut po vijon dhe se së shpejti do të njoftohen edhe datat e takimeve në Bruksel në kuadër të këtij procesi.