Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka filluar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga Prespa, aty edhe ku është nënshkruar marrëveshja e Prespës.
Naser Ziberi është kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoni.
Ziberi më herët ka qenë zyrtar shtetëror me partinë politike PPD, në vitet e 90-ta.
Ahmeti, kryetari i BDI-së ka thënë se me këtë propozim shqiptarët nuk janë vetëm qiraxhinj por edhe zot të shtëpisë në Maqedoni.
Kandidati për kryeministër në fjalën e tij u shpreh u bindur që ka ardhur koha për barazi të plotë të shqiptarëve me të tjerët në Maqedoninë e Veriut.
“Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoi që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak. Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova vetë me vete se kjo jo vetëm që do të ndryshonte jetën time, por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe. Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë dhe jo shumë kohë për ta menduar. Por, çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale, andaj dhe thash: Po!” tha ai.
Ziberi me profesion është jurist dhe ka qenë ministër i Ministrisë për Punë dhe politikë sociale në Maqedoni. Ai është lindur në vitin 1961 në Llaskarcë të Shkupit dhe jeton në Shkup. Në periudhat 1991-1994 dhe 1998-2002 ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë.