×
  • Lajme
  • Lajme

    Haga ka afat deri në tetor ta konfirmojë aktakuzën për Thaçin e Veselin – ky është gjyqtari francez që vendosë për ish-eprorët e UÇK-së

    Reporteri
    24 Qershor 2020 | 17:48

    Gjashtë muaj ka kohë që një gjyqtar i procedurës paraprake i Dhomave të Specializua të Hagës të konfirmojë ose jo një aktakuzë të ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën. Rrjedhimisht, aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e dorëzuar më 24 prill, ka afat të konfirmohet deri më të njëjtën datë të tetorit.


    Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Hagës, Nikola Giju, ka maksimum gjashtë muaj kohë për të shqyrtuar provat që mbështesin aktakuzën e dorëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe për të vendosur nëse ekziston një dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit dhe për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

    Kështu parasheh rregullimi i funksionimit të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, shkruan Reporteri.net.

    Rrjedhimisht, aktakuza ndaj ish-eprorëve të UCK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli, e dorëzuar në Hagë më 24 prill të këtij viti ka afat të konfirmohet nga gjyqtari i procedurës parapenale deri më 24 tetor 2020.

    Në të njëjtën aktakuzë, është bërë e ditur se janë të përfshirë si të akuzuar edhe të tjerë ish-pjesëtarë të UCK-së, por se Haga nuk i ka bërë ende publik dhe mbeten konfidencial me rregullore, deri në ndryshimin e këtij klasifikimi apo deri në konfirmimin e aktakuzës ndaj tyre.

    Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar, të mërkurën ka dhënë arsyen se pse ka vendosur që të publikojë emrat e të Thaçit dhe Veselit si të akuzuar.

    Sipas tyre, kjo pasi tani presidenti kosovar dhe kreu i partisë opozitare PDK, kanë bërë përpjekje për sabotimin fshehurazi të procesit, shkruan Reporteri.net.

    “Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara për Kosovën.

    Sipas njoftimin të ZPS-së dy ish-eprorët e UCK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po akuzohen nga Gjykatë Speciale për rreth 100 vrasje, në mesin e tyre edhe vrasjet politike.

    “Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thotë njoftimi.

    Sipas kumtesës, “Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”.

    Gjykatësi i procedurës paraprake që do të shqyrtojë aktakuzën në fjalë, është francezi Nikola Giju, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Sipas të dhënave të tij në faqen zyrtare të DHPS-së, ai ka qenë që nga viti 2015, shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin. Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

    Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Giju shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike. Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Giju punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

    Gjykatësi Giju është magjistruar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane nga Universiteti i Sorbonës (Francë). /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!