Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se në vitin 2019 Shtetet e Bashkuara arritën suksese të konsiderueshme në luftën kundër terrorizmit, por megjithatë kërcënime të rrezikshme të terrorizmit vazhduan në botë.
Në kapitullin për Kosovën thuhet se vendi vazhdoi të luftojë kërcënimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për të Luftuar ISIS-in.
Në raport përmendet fakti që në prill 2019, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Kosova riatdhesoi katër të dyshuar si luftëtarë të huaj dhe 106 familjarë të luftëtarëve të huaj nga Siria, “duke u bërë një nga vendet e para që kthente një numër të madh civilësh nga zona e konfliktit.
“Megjithëse qeveria ka një Divizion Parandalimi dhe Ri-Integrimi në Ministrinë e Brendshme, burime dhe aftësi të kufizuara, vazhdojnë të pengojnë aftësinë e qeverisë për të siguruar shërbimet dhe ndihmën e nevojshme”, thuhet në raport.
Raporti vë në dukje se kuadri ligjor i Kosovës është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste, por zbatimi ka mangësi, veçanërisht dënimet e shkurtra, lirim të hershëm nga burgu dhe munngesë mbikqyrjeje, pas lirimit.
Në raport përmendet dënimi në shtator i gjashtë të pandehurve “për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë, Shqipëri, Belgjikë, Francë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë planet për sulme vetëvrasëse në Kosovë, kundër forcave të KFOR-it, klubeve të natës, dhe kishave Ortodokse Serbe në periudhën mes Dhjetorit 2017 dhe qershorit 2018.
Po ashtu përmendet akuzat në nëntor ndaj një prej luftëtarëve të huaj të kthyer nga Siria që pranoi fajësinë dhe u dënua me katër vjet burg. Akuzat ndaj një të dyti u ngritën në dhjetor. Dhe Gjykata në Prishtinë pranoi deklaratat e fajësisë nga dy prej grave të kthyear nga Siria.
Raporti thotë se strategjia dhe plani i veprimit kundër ekstremizmit të dhunshëm synon frenimin e kërcënimit nga terrorizmi dhe rolin kritik nga të gjithë faktorët, përfshirë shoqërinë civile.
“Zbatimi nuk ka qenë njëlloj në ministritë e ndryshme dhe sfidat vazhdojnë, për shkak mungesës së kapaciteteve dhe burimeve të pamjaftueshme”, thuhet në raport./VOA/