Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë të akuzuarit e parë që u bënë publik nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale. Njoftimi për ta u dha sot, ndonëse Zyra e Prokurorit të Specializuara për Kosovën theksoi se aktakuza ndaj tyre u ngrit para 2 muajsh.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për Kosovën, me seli në Hagë, u themeluan më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës.
Kadri Veseli, një nder të akuzuarit e parë publik të këtij tribunali, kishte votuar pro ligjit për krijimin e tyre. Ndërsa Hashim Thaçi, i akuzuari tjetër, sot president i vendit, kishte insistuar që deputetët e atëkohë partisë së tij PDK-së, ta votonin themelimin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. Ndonëse, kjo Gjykatë ishte themeluar pas publikimit të një raporti nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime dhe është bërë trafikim me organe nga luftëtarët vendas.
E në këtë raport 30 faqesh, emri i Hashim Thaçit përmendet 26 herë, shkruan Reporteri.net.
Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar fillimisht Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.
“Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër Serbëve, Romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014.
Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve.
“Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”.
“Nuk do të hyjë në specifika për të folur për individë, por të dhënat tona janë në koherencë me atë që ka thënë Dick Marty në raportin e tij, që këta individë kanë qenë në menaxhment të lartë të UÇK’së”, kishte shtuar ai.
Përveç Thaçit, raporti i zviceranit Marty, 7 herë përmend edhe tashmë të akuzuarin tjetër Kadri Veselin, shkruan Reporteri.net.
Në raporton përmenden edhe eksponentët tjerë të UCK-së Shaip Muja, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, e Ramush Haradinaj.
Këta ish-udhëheqës të UÇK’së, Marty, i ndërlidh me veprime kriminale të kryera gjatë kohës së luftës dhe pasluftës.
Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i presidentit kosovar përmendet 26 herë.
Pas tij vjen ish-deputeti i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së.
Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, deputet dhe udhëheqës i një partie të vogël politike, NISMA për Kosovën.
Azem Syla dhe mbiemri Haradinaj përmenden nga dy herë në raport, shkruan Reporteri.net.
Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.
“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEXi zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.
“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkëkonspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIKu, Tribunali i Hagës, dhe EULEXi. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.
“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.
Zyra e Prokurorit të për Kosovën pohojnë se e shohin të domosdoshme publikimin e kësaj aktakuzë, pasi sipas tyre, kanë parë përpjekje të aktualisht Presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli që ne fshehtësi ta sabotojnë punën e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. /Reporteri.net/.