Ish ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery beson se ngritja e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është një shembull i zgjerimit të hendekut midis SHBA-së dhe BE-së.
I pyetur nëse ishte rastësi që aktakuza u bë e ditur pak ditë para takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë, dhe nëse kjo ishte një përpjekje për të shkatërruar iniciativën e Grenellit, Montgomery u përgjigj se “Askush nuk do ta besojë se kjo është rastësi.”
Montgomery, megjithatë tërheq vërejtjen se pozicionet kundërshtare të SHBA-së dhe BE-së garantojnë se zgjidhja për problemin e Kosovës nuk do të gjendet në të ardhmen e afërt.
Megjithatë ai potencon se pozicioni i tij nuk përfaqëson mbrojtjen e Hashim Thaçit ose të udhëheqësve të tjerë shqiptarë të Kosovës për krime të mundshme lufte.