×
  • Lajme
  • Lajme

    Gratë e kthyera nga Siria ua hedhin fajin burrave të tyre të vrarë: Na thanë se po shkonim në Gjermani, e na çuan në luftë

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 17:22

    Autor: Mentor Gjergjaj


    Shumica e grave që të premten u kthyen nga Siria në Kosovë kanë lënë të kuptohet se kanë qenë viktima të burrave të tyre, tashmë të vrarë atje. Ato thonë se i çuan pa dijeninë e tyre, në zonat e luftës në Siri e Irak, duke pretenduar se nuk e dinin për ISIS-in, por se bashkëshortët para nisjes u kishin thënë se bashkë po merrnin rrugë për në perëndim.


    32 gratë e veja që të premten u kthyen nga kampet e luftës në Siri, gjatë të hënës janë intervistuar nga hetuesit kosovarë. Disa prej tyre edhe në cilësinë e të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe bashkëngjitje të grupeve terroriste.

    Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se shumica prej këtyre grave në deklaratat e tyre pretendojnë se nuk kanë qenë në dijeni për luftën në Siri, kur janë nisur për atje.

    Madje, nga burime brenda autoriteteve të sigurisë, Reporteri.net mëson se disa nga gratë e kthyera në Kosovë të premten mbrëma pohojnë se para se të merrnin rrugën për në ISIS, burrat e tyre u kishin thënë se po niseshin për të shkuar në vende të Europës Perëndimore. Kryesisht, ato kanë përmendur Gjermaninë si cak të shkuarjes, në momentin kur ishin larguar nga Kosova, disa para katër e të tjera para tre vitesh.

    Sipas tyre, tek kur kanë arritur në Siri e kanë kuptuar se ku ndodhen në të vërtetë. Ato, kanë deklaruar se prej fillimi gratë janë mbajtur në kampe të caktuara në Siri.

    Sipas deklaratave të tyre, merr vesh Reporteri.net, ato pretendojnë se pas shkuarjes në Siri takimet me bashkëshortet e tyre, tashmë të vrarë, nuk kanë qenë të shpeshta. Pasi, ata nuk kanë qëndruar në kampet e grave dhe fëmijëve, por në zonat e luftimeve.

    Ato, hetuesve kosovarë u kanë thënë se për fatin e burrave të tyre, kur largoheshin për të luftuar, dëgjonin shumë rrallë. Vetëm kur vriteshin ata.

    Intervistimin e këtyre grave nga hetuesit policorë e ka konfirmuar për Reporteri.net edhe Prokuroria e Shtetit. Sipas, prokurorit special Sylë Hoxha, ende nuk i kanë marrë të dhënat e raporteve të hetuesve të antiterrorizmit.

    “Policia është duke i intervistuar. Ne po presim nga Policia ndonjë raport nëse ka elemente të veprës penale”, tha Hoxha përmes telefonit.

    Nga ana tjetër, pos intervistimit nga hetuesit kosovarë, të kryera në prani të avokatëve, gratë e xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri, tashmë të kthyera në Kosovë, që po mbahen në qendrën për mbajtjen e të huajve në Vranidoll të Prishtinës, në ditën e tretë të qëndrimit në këtë “kamp” janë konsultuar edhe me psikologë.

    Atyre, Policia po u ofron 24 orë siguri, derisa në shërbim të tyre janë edhe mjekët dhe kujdestarët e tjerë. Derisa, zyrtarët e Institutit kombëtarë për Shëndetësi Publike po vazhdojnë të bëjnë analizat shëndetësore të të kthyerve.

    Gjatë gjithë ditës, vizitat në këtë qendër, të familjarëve të këtyre 106 kosovarëve të riatdhesuar nuk kanë munguar.

    Përveç 32 grave, në këtë “kamp” janë edhe 74 fëmijë e tyre që u kthyen bashkë nga Siria. Vetëm nëntë prej këtyre fëmijëve janë pa asnjërin prind, të cilët besohet se u janë vrarë të dy në Siri.

    Gjithçka çfarë ndodhi mbrëmë në aeroportin e Prishtinës – si u sollën në Kosovë mbi 100 gra dhe fëmijë të xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri

    Reporteri.net ka raportuar të premten ekskluzivisht për operacionin e kthimit të 110 kosovarëve nga kampet e luftës siriane – përshirë këtu edhe katër luftëtarë të ISIS-it të cilët tashmë ndodhen në paraburgim.

    Siç ka raportuar Gazeta Online “Reporteri.net”, operacioni i kthimit të këtyre kosovarëve në vendlindje është kryer me një avion ushtarak të SHBA-ve, që të premten rreth orës 23:00 ateroi nga Stambolli në Prishtinë.

    Ndryshe, prej vitit 2012, të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 400 kosovarë i janë bashkuar vatrave të luftës në Siri e Irak, përkrahë organizatave terroriste ISIS e Al-Nussra. Rreth 80 prej tyre raportohet të jenë vrarë. Një pjesë e tyre janë kthyer në Kosovë. Ndërkohë se njoftohet se 30 luftëtarë nga Kosova vazhdojnë të qëndrojnë aktivë në ISIS, krahas 49 grave dhe tetë fëmijëve tjerë kosovarë që kanë mbetur ende në disa kampe siriane. /M.Gj./Reporteri.net/.

    Ky është aeroplani amerikan që mbrëmë solli në Prishtinë 110 kosovarët nga Siria

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!