×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Apeli kthen për rigjykim rastin për drogë ndaj Saimir Tahirit

    Reporteri
    26 Qershor 2020 | 16:51

    Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi të premten të kthejë për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.


    Apeli vlerësoi se “në Gjykatën e Shkallës së Parë ishte ndryshuar cilësimi i veprës penale dhe ishte ngritur akuzë e re pa i lënë kohë të pandehurve të njihen me të, të mbrohen apo të paraqesin prova të reja”. Për këtë vendosi të prishë vendimin e dhënë nga kjo gjykatë dhe kthimin e çështjes për rigjykim me trupë tjetër gjykuese.

    Në Shkallën e Parë, ndaj ish-ministrit prokuroria pati kërkuar dënim me 12 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

    Mirëpo në shtator të vitit 2019, kur shpalli vendimin, gjykata e rikualifikoi akuzën dhe e dënoi atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që u kthye në 3 vite e 4 muaj shërbim prove për shkak të gjykimit të shpejtuar.

    Rreth një orë pasi iu komunikua vendimi, Tahiri doli përpara mediave ku tha se ishte marrë “vendim i padrejtë” dhe se “betejën për pafajësi” ai “do ta vijojë deri në fund”.

    “Pas 3 vitesh duhet të merrte një drejtim kjo çështje, rikthimi në pikën zero është padrejtësi, sipas aksiomës drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Beteja fillon nga e para. Gjykata tha se prokuroria nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit për ndjekjen penale, se cilat janë këto nuk e di,” – u shpreh Tahiri dukshëm i emocionuar.

    “Ju garantoj, nuk kam bërë asnjë faj, kam kusuret e mia në politikë, por kurrë nuk kam bërë faj. I ika edhe mandatit të deputetit për t’u përballur si qytetar dhe jo si ato vemjet që janë përballur si pushtetar me drejtësinë, por ju siguroj se këmbët e mia mbajnë dhe pa pushtet!” – tha ish-ministri teksa këmbënguli se nuk do t’i shkojë më çështjes së tij me “gjykim të shkurtuar”, por do ta kërkojë deri në fund “pafajësinë”.

    “Pothuajse çdo javë i dërgoja Presidentit letër për gjyqtarë që sipas drejtuesve të policisë kishin shkelur ligjin. Nuk kam bërë asnjëherë kompromis me askënd për atë që kam besuar,” – shtoi Tahiri duke rezervuar opinionet rreth “drejtësisë së re” me një koment të thjeshtë se gjyqtarët e çështjes së tij ishin “me veting”.

    Që prej fundit të vitit 2017-të, Tahiri është akuzuar nga prokuroria se në bashkëpunim me ish-drejtorin e policisë Vlorë, Jaeld Çela, ka favorizuar në së paku 4 raste grupin e Moisi Habilajt për të trafikuar drogë.

    Habilaj në vitin 2017 u dënua me 15 vite burg në Itali, por në muajin maj u kalua në arrest shtëpie pasi çështja e tij po rishqyrtohet në apel. /euronewsalbania/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!