×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia i shqipton vetëm një gjobë shoferit që ngiste veturën në anën e kundërt në autostradën Prishtinë- Prizren

    Reporteri
    26 Qershor 2020 | 19:10

    Policia e Kosovës pas publikimit në Reporteri.net të informacionit se në autostradën Prishtinë – Prizren një veturë ecë në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe rrezikon edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, thotë se ka marr veprime duke shqiptuar gjobë ndaj vozitësit të kësaj veture.


    Me datë 22.06.2020 në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”.

    Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin.

    “Pas hetimeve intensive, është identifikuar koha e lëvizjes së veturës së cekur më lartë, si dhe përmes targave të saj është gjetur dhe pronari i veturës i cili është kontaktuar përmes telefonit dhe me datë 26.06.2020 i njëjti është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili lidhur me rastin është intervistuar dhe të njëjtit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që në çdo rast të shkeljes së rregullave të komunikacionit rrugor, dhe jo vetëm, të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mirren masat adekuate për parandalimin e rasteve të tilla, me qëllim të ofrimit të sigurisë në një nivel sa më të lartë në komunikacion dhe jo vetëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!