Është shkatërruar falë bashkëpunimit të forcave italiane e shqiptare një grup kriminal i mirëstruktuaruar që po tentonte të trafikonte nga Shqipëria drejt Italisë një sasi prej thuajse 40 mln eurosh lënde narkotike të llojeve marijuanë, hashash e kokainë.
Operacioni i ndarë në dy segmente (‘Kulmi’ dhe ‘Shefi’) mes Italisë e Shqipërisë ka rezultuar i suksesshëm në vënien në pranga të 37 personave (shqiptarë e italianë). Mësohet se koka e grupit mafioz është një shqiptar me origjinë nga Vlora, një emër i njohur i botës së krimit. Identiteti i tij ende nuk është mësuar, por vlonjati rezulton se ka investuar miliona në biznese në Shqipëri.
Pas sekuestrimit të rreth 3.5 tonëve drogë dhe një skafi të fuqishëm në Vlorë (i cili kryente transportin drejt Italisë), bëhet me dije se nga ana e prokurorisë shqiptare janë sekuestruar pasuri me një vlerë prej rreth 4 mln eurosh, që i përkasin grupit kriminal.
Në lidhje me megaoperacionin është mbajtur këtë të martë një konferencë për shtyp në Itali, ku të ftuar kanë qenë drejtuesit e antimafias italiane, nënkryetari i Eurojust si dhe kreu i SPAK në Shqipëri.
Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho deklaroi se operacioni ka qenë më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, dhe ka goditur rëndë bandat shqiptare e italiane të trafikut të lëndëve narkotike.
Operacioni u koordinua nga Eurojust. U sekuestruan hashash, kokanë dhe heroinë. Janë vënë në pranga 37 persona. Është operacioni më i madh që ka goditur grupet mafioze italiane dhe shqiptare. Kemi bashkëpunuar dhe me Arben Krajën, kreun e SPAK në Shqipëri,”- tha De Raho.
Ndërkohë kreu i strukturës së posaçme antikorrupsion Arben Kraja, u shpreh se ai kishte shkuar personalisht në muajin shkurt në Itali, për të firmosur bashkëpunimin për vijimin e ecurisë së operacionit të përmbyllur këtë të martë. Kraja gjithashtu deklaroi se do të hetohen dhe ato autoritete që lejuan trafikun.
“Kam firmosur marrëveshje të veçantë bashkëpunimi më 7 shkurt. Shkova personalisht në Romë. Ideja e takimit të parë ishte se duhet të jemi konkretë dhe them se sot jemi totalisht konkretë për operacionin që kemi realizuar. Kemi shfaqur gatishmërinë tonë, përgjigjia më efektive që mund të jepnim është kjo. Falenderojmë Eurojust për mbështetjen që na dha. Operacioni ishte i sukseshëm, u realizua në të njëjtën kohë dhe në mënyrë perfekte. S’jemi kufizuar vetëm në identifikim dhe arrestim, por kemi ngritur akuzë për pastrim të produkteve penale dhe kemi sekestruar një vlerë të madhe të produkteve të penale. Jemi të vendosur se edhe ekipet e tjera që kemi do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe seriozitet. Ajo që të vazhdojmë të bëjmë është se do të hetojmë deri në fund përgjegjësinë e autoriteteve që kanë lejuar trafikun.”,-tha Kraja.
Në lidhje pikërisht me hetimet ndaj zyrtarëve të përfshirë, nënkryetari i Eurojust dhe njëkohësisht prokuror antimafia Filipo Spezia, tha se mes 37 të arrestuarve ka edhe zyrtarë shtetërorë.
“Autoritetet kanë krijuar aleancë kundër krimit. Operacioni u koordinua nga Eurojust. Kjo skuadër e vendosur përballë grupit kriminal, është skuadra më e përgatitur për t’u vënë përballë krimit. Duhet të merret shembull për të ardhmen dhe për të gjithë vendet e tjera. Krimi shqiptar përdor tashmë kufijtë detarë. Në këtë operacion kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe dua të evidentoj diçka shumë të rëndësishme. Kemi nevojë për vëmendje gjatë gjithë kohës, ta kemi “shqisën” e zgjuar. Kjo strukturë që u vu përballë këtij grupi goditi në kohën e duhur”, tha Spezia.
Hetimet në lidhje me këtë grup kanë nisur në 2017, kohë kur në Sarandë u kap një makinë ‘rulo’ që kishte rreth gjysëm ton kanabisi. Pronarët e rulosë, një çift italian nga Bari, gjithashtu u ndaluan, por këta të fundit deklaruan se ata ishin për turizëm dhe nuk kishin të bënin me drogën.