Kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili sot po përmbyllë vizitën e tij dy ditore në Prishtinë, ku ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, përjashtuar Ramush Haradinajn i cili refuzoi ta takojë, në një konferencë për media ka folur për përplasjet e tij me kreun e AAK-së.
Rama, ka thënë se përplasjet e tij me Ramush Haradinajn nuk i quan përplasje të mëdha, derisa është shprehur se ka kërkuar ta takojë kreun e AAK-së ashtu si të gjithë liderët tjerë.
Rama po ashtu ka bërë të ditur se do ta tërheqë padinë ndaj Haradinajt, pasi sipas tij temat që duhet t’i bashkojnë tani, janë shumë më të mëdha sesa përplasjet që kishin pasur, shkruan Reporteri.net
“Unë nuk kam pasë përplasje të mëdha, nuk e besoj se mund të quhen përplasje të mëdha ato të cilat unë të paktën iu referohem në kujtesën time. Te përplasjet e mia unë mendoj që shpifja është një nga të këqijat e mëdha që politika shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë i ka bërë popullit dhe brezit të ri duke i ngulitur krejt të kundërtën e saj që prindërit tanë janë përpjekur të na mësojnë. Unë kam 22 padi për shpifje, kjo padi që kam këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë sepse është e pazakonshme, një padi e kryeministrit për kryeministrin. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve dhe si paditës që shkon te i padituri besoj që ishte ai që do të duhej të më hapte derën dhe që të diskutojmë për këtë çështje që është shumë më e madhe se ne. Do ta tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua por është shumë më e madhe ajo që duhet të na bashkojë sot. Për sa më takon mua Ramush Haradinaj është një nga figurat historike dhe nga ai vend nuk e tërheqë askush”, u shpreh Rama. /Reporteri.net