Ligji i ri kinez për sigurinë kombëtare, i konsideruar edhe si “ligji antiprotestë i Hong-Kongut” ka mundur që ditën e parë të çojë në arrestimin e dhjetëra demonstruesve kundër tij. Disa rrezikojnë dënime përjetë pse u deklaruan për pavarësimin e rajonit nga Kina.
Pak orë pasi Kina miratoi dhe solli në fuqi ligjin për sigurinë kombëtare të Hong-Kongut, në rajonin gjysmautonom kinez janë bërë arrestimet e para me pretekstin e shkeljes së tij.
Dhjetëra aktivistë që dolën të kundërshtojnë përmbajtjen e ligjit dhe të shënojnë 23-vjetorin e kalimit nga një ish-koloni britanike te Kina, hasën të mërkurën në reagimin e forcave të rendit.
Protestuesit që bënin thirrje për shfuqizimin e nismës, për më shumë demokraci dhe për pavarësimin e rajonit nga Kina, u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe makina ujëhedhëse.
Teksa vazhduan përplasjet, policia paralajmëronte me një mesazh të shkruar se flamujt, parullat apo sloganet që po lëshoheshin ishin tashmë të dënueshme me ligj.
Të paktën 70 persona u shoqëruan, mes tyre dy të arrestuar në shkelje të legjislacionit.
Me ligjin për sigurinë kombëtare bëhet të dënueshme me burgim të përjetshëm përpjekjet për ndarjen e rajonit nga Kina, për rrëzimin e pushtetit, për terrorizëm dhe marrëveshjet sekrete me aktorë të huaj.
Disa prej këtyre rasteve mund të gjykohen në sistemin kinez të drejtësisë, që ka edhe të drejtën ekskluzive për ta interpretuar ligjin, ndërsa për zbatimin e tij do ngrihet një agjenci e posaçme.
“Ne e dimë si është drejtësia në Kinë, qëndrimet e tyre politike dhe si i trajtojnë atje gjërat. Ky ligj për Hong-Kongun i frikëson njerëzit, nuk i bën më të sigurt për të ardhmen, ndaj edhe disa kanë nisur të emigrojnë.”
“23 vjet pas dorëzimit te Kina, Hong-Kongu tashmë është bërë një tjetër qytet i Kinës kontinentale. Me apo pa ligj sigurie, ata mund të arrestojnë kur të duan. Edhe policët janë të paarsyeshëm. Ndër vite janë arrestuar me mijëra njerëz por asnjë polic i vetëm nuk ka dalë në shkelje të ligjit.”
Me rastin e 1 korrikut, administrata e Hong-Kongut organizoi ceremoninë e ngritjes së flamurit për 23-vjetorin e themelimit si rajon i veçantë administrativ i Republikës Popullore të Kinës.
Sovraniteti i Hong-Kongut për 27 vitet e ardhshme është i garantuar sipas marrëveshjes “një shtet, dy sisteme”, por kritikët thonë se me ndërhyrjet e fundit ligjore rrezikojnë të drejtat, liritë dhe përndjekjen e zërave kundërshtarë me Pekinin zyrtar.