Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje edhe pa Hashim Thaçin nuk do t’i ndalë as administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, së shpejti do ta caktojë datën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pas dështimit të atij më 27 qershor, raporton Koha Ditore duke u thirrur në burime të saj.
Sipas gazetës për amerikanët nuk paraqet problem ndryshimi i negociatorëve dhe mungesa e Thaçit.
Por, siç merr vesh gazeta, nëse dështon arritja e një marrëveshjeje gjatë korrikut, në administratën e Trumpit mund të bjerë entuziazmi për tentativa të tjera, edhe për shkakun se në nëntor mbahen zgjedhjet presidenciale.
“I takon popullit të Kosovës t’i caktojë liderët që duhet të marrin pjesë në dialog. Emisari Grenell do të tentojë t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje”, ka thënë ky burim.
Por Dick Custin, i cili është zëdhënës i ambasadorit Grenell, ka deklaruar se aktualisht nuk kanë një datë për takimin mes palëve.
Publikimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi e dështoi takimin e planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Pas presidentit, i cili e njoftoi emisarin amerikan Richard Grenell se nuk do jetë pjesë e takimit, pjesëmarrjen e anuloi edhe kryeministri Avdullah Hoti me arsyet se i duhet ta menaxhojë situatën në vend pas njoftimit se të akuzuarit e parë mund të jenë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Hoti planifikonte të udhëtonte për në SHBA pas vizitës së parë zyrtare në Bruksel.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.