×
  • Sport
  • Sport

    Trajneri i Bayern Munich: Lewandowski e meriton Topin e Artë

    Reporteri
    05 Korrik 2020 | 14:21

    Trajneri i Bayern Munich, Hansi Flick, thotë se Robert Lewandowski mund ta fitojë Topin e Artë, pasi e mbylli sezonin e tij kombëtar me 51 gola.


    Sulmuesi polak ka fituar titullin e kampionit në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë me bavarezët, në sezonin aktual, ndërsa vijon ta synojë edhe trofeun në Ligën e Kampionëve.

    Bomberi në fjalë shënoi dy herë në finalen e mbrëmshme, ku të tijtë fituan lehtësisht 4-2 ndaj Bayer Leverkusen.

    Edhe kjo finale konfirmoi formën e jashtëzakonshme të Lewandowski më 2019-2020, i cili i tejkaloi “gjysmëshekulli” gola, në të gjitha garat. Po kështu, ai ka shënuar 11 gola në Champions, këtë edicion, teksa gara në fjalë përgatitet të kthehet muajin tjetër me sfidat e fundit të kthimit të 1/8 finale dhe pastaj çerekfinale e në vijim. Trajneri Flick e mbështet sulmuesin e tij për lavdi, fitimin e “Topit të Artë”:

    “51 gola janë një pajë mbresëlënëse për cilindo sulmues në botë. Të dy golat e Lewandowski në finale të Kupës së Gjermanisë ishin të shkëlqyer. Mënyra se si ai e merr topin dhe se si shënon është unike. Sigurisht, ka pasur edhe pak fat, por ka shumë besim në cilësitë e tij.  Nëse ka shënuar 34 gola në Bundesligë këtë sezon, atëherë mund të mendoni se një lojtar nga kampionati ynë mund të bëhet fituesi i Topit të Artë. Rivalët e tij janë jo pak mbrapa në këtë drejtim. Pra, pse jo. Ai i ka hedhur të gjitha themelet me arritjet e këtij viti, ndaj do ta meritonte cmimim prestigjioz”, tha Flick.

    Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, e fitoi Topin e Artë vitin e kaluar, duke sfiduar Virgil van Dijk dhe Cristiano Ronaldo. Lojtari i fundit i Bayernit që fitoi trofeun prestigjioz individual ishte Karl-Heinz Rummenigge, më 1981.

    Sezoni i Lewandowski nuk ka mbaruar, me sulmuesin polak të vendosur të jetë golashënues përsëri në gusht, kur të rifillojë Championsi. Bayerni mposhti Chelsea 3-0 në ndeshjen e parë të 1/8 finale, më 16 shkurt, dhe e sheh veten thuajse të sigurt në çerekfinale. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!