×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta reagon pas vdekjes së mjekut nga COVID-19: Nevojë urgjente për strategji të re

    Reporteri
    06 Korrik 2020 | 15:38

    Pas ndarjes nga jeta të doktor Hysni Shjakut, nga koronavirusi, vjen një mesazh ngushëllimi nga presidenti Ilir Meta.


    Meta teksa i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve për humbjen, thekson se ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re.

    Meta mes të tjerash ka bërë thirrje për rritjen e masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit.

    MESAZHI I METËS

    Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.

    Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian!

    Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

    Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.
    Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

    Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!