×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti nga Parisi: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke, nuk diskutojmë për integritetin territorial

    Reporteri
    07 Korrik 2020 | 20:32

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për Samitin virtual që do të mbahet të premten ndërmjet Kosovës e Serbisë. Hoti në një paraqitje për Televizionin Publik të Kosovës nga Parisi ka thënë se në këtë samit do të rishikohen pozicionet e Kosovës dhe Serbisë sa i përket dialogut, transmeton Reporteri.net.

    “Të premten është planifikuar që të zhvillohet samiti që udhëhiqet nga presidenti Macroin dhe kancelaria Merkel në mes të Kosovës dhe Serbisë për të rishikuar pozicionet e të dy shteteve sa i përket dialogut”, ka thënë Hoti.

    Ai ka folur edhe për takimin që e ka pasur sot me presidentin francez Macron. Sipas tij kanë biseduar për rolin e Francës për zhvillimet në rajon dhe proceset euro integruese të Kosovës.

    “Franca mbetet mik i madh iu Kosovës dhe presidenti Macron e konfirmoi edhe një herë këtë miqësi që kemi dhe rolin dhe vëmendjen që do të ketë rajoni dhe Kosova në vecanti në proceset integruese. Sigurisht që u diskutua për zhvillimet socio -ekomonike që po përballemi në Kosovë si resultat i pandemisë por edhe nevojës për rimëkëmbje ekonomike por edhe reformat tona dhe zhvillimet politike në vecanti të procesit të dialogut”, tha Hoti.

    Ai ka thënë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke ndërmjet dy vendeve.

    “Sot kam diskutuar në detaje me presidentin Macroni dhe e kam informuar për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, konsultimet që kam zhvilluar me të gjitha forcat politike, me shoqërinë civile, akademike për të formësuar platformën e Kosovës për procesin e dialogut me të vetmin qëllim që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, shtoi ai.

    Hoti është shprehur se të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllen me njohje.

    “Jemi në një situatë që duhet të dialogojmë për përmbylljen e të gjitha çështjeve të hapura dhe këto mund të mbyllen me një marrëveshje për njohjen reciproke”, tha Hoti.

    Ai ka thënë se Kosova nuk do të diskutojë për integritetin territorial të vendit.

    “Unë besoj që në Samitin e Parisit ne të arrijmë meqenëse ky samit ka vëmendjen e Macron dhe kancelares Merkel unë nuk pres se do të kemi dakordim por pritjet për këtë proces. Unë kam kërkuar mirëkuptimin e presidentit Macron që ne të hyjmë me objektiva në këtë proces e kam informuar atë mbi vijat e kuqe që nuk i diskutojmë për integritetin territorial të vendit”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!