Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi i emëruar të hënën pas shkarkimit të ish-drejtorit Basri Sejdiu, para më shumë se një muaj më parë ka bërë një parashikim lidhur me virusin COVID-19 që doli të jetë një huqje e madhe.
Më datën 24 maj në profilin e tij në Facebook, Krasniqi kishte shkruan se virusi po ikën, shkruan Reporteri.net.
“Zero raste sot. COVID po shkon, Vera po vjen. Urime Kosovë”, kishte shkruar Krasniqi.
Por, lëre që virusi nuk shkoi, por rastet në Kosovë janë rritur në mënyrë alarmante dhe menaxhimi i këtij virusi duket se ka dalë nga kontrolli.
Madje, vetëm në dy ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 378 raste të reja. Ndërkaq, nga nisja e pandemisë, betejën me të e kanë humbur 82 persona.
Aktualisht në Kosovë aktiv me COVID-19 janë 1801 raste, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2003 raste, ndërsa numri total i rasteve pozitive ka arritur shifrën 3886.
Kujtojmë që infektologu, Valbon Krasniqi është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor pasi bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik ka shkarkuar drejtorin e mëparshëm pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mos përmbushjes së detyrave të punës./Reporteri.net/