Problemet në LDK po shfaqen edhe në Kuvend. Kjo ka ndodhur edhe sot, kur kryekuvendarja Vjosa Osmani është përplasur me kryeministrin Avdullah Hoti.
E “mollë sherri” mes tyre ishte rezoluta për dialogun me Serbinë.
Kryeministri Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit tha se ka prezantuar platformën e Qeverisë për dialogun, parimet dhe vijat e kuqe.
Hoti tha se në seancën e kaluar ai ka mbajtur një fjalim ku ka treguar se cila është platforma e tij, por me këtë deklaratë nuk u pajtua kryekuvendarja Osmani.
Kjo e fundit tha se seanca e kaluar ishte thjesht debat, jo prezantim i platformës sepse ajo vjen e shkruar.
“Grupet parlamentare nuk formohen ad hoc, por ato i formojnë deputetët e Kuvendit dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Osmani.
Kujtojmë se nga momenti që LDK ka shkarkuar Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe në vend të saj e ka emëruar Hotin, këta të dy kanë shkëmbyer replika në vazhdimësi dhe kanë shpërfaqur mospajtime gjatë gjithë kohës. /Reporteri.net/.