×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas takimit me kryetarët e komunave, Hoti konfirmon se po shkojmë drejt gjendjes së jashtëzakonshme

    Reporteri
    11 Korrik 2020 | 10:51

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me kryetarët e komunave ka thënë se mori mbështetjen e tyre për masa më të ashpra në luftimin e pandemisë.


    Hoti ndër të tjera ka thënë se mori përkrahjen e kryetarëve të komunave edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, shkruan Reporteri.

    Tutje, Hoti ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.

    Njoftimi i plotë:

    Me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot kishim një video konferencë me Kryetarët e Komunave për të vlerësuar gjendjen me covid-19. I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve.

    I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj.

    Do të na duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë. I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe.

    I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

    Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!