Papa Françesku ka thënë të dielën se ndihet i lënduar nga vendimi i Turqisë për ta shndërruar muzeun “Hagia Sophia” në Stamboll në xhami. Këtë vendim e kanë dënuar edhe disa prijës të tjerë fetarë.
“Mendimet e mia shkojnë në Stamboll. Mendoj për Santa Sophia-n dhe ndiej shumë dhimbje”, tha Papa Françesku gjatë fjalimit javor, të mbajtur në Sheshin “Shën Pjetri”, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se lutjet e para në “Hagia Sophia” do të bëhen më 24 korrik, pasi e shpalli xhami monumentin e lashtë edhe një herë pas një vendimi të gjykatës, me të cilën objektit i largohej statusi i muzeut.
Ndryshe, Këshilli Botëror i Kishave i ka bërë thirrje Erdoganit që ta tërheqë vendimin e tij, ndërsa patriarku Bartolomeu, udhëheqësi botëror i ortodoksëve, e cilësoi këtë vendim si dëshpërues.
Kreu i shtetit turk ka deklaruar se objekti i vjetër 1,500 vjet, që dikur ishte katedrale, do të mbetet i hapur për myslimanët, të krishterët dhe të huajt.
Ai shtoi se Turqia e ka ushtruar të drejtën e saj sovrane për shndërrimin e objektit në xhami dhe kritikat për këtë vendim do t’i interpretojë si sulme ndaj pavarësisë së shtetit.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.