Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin për shqyrtimin e ndarjeve buxhetore për Buxhetin e Vitit 2020, shkruan Reporteri.net.
Më 67 vota për dhe një abstenim, është votuar në parim ky projektligj.
Ky rishikim u votua edhe nga deputetët opozitarë nga Partia Demokratike të Kosovës. Në votim nuk morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë debatit për rishikimin e buxhetit ka thënë se ky Grup Parlamentar me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka, siç tha ai, për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta japë votën për dhe do të bëjë përpjeke që mes dy leximeve të korrigjohet.
“Sot ndodhemi në një situatë me zgjedhë mes dy të këqijave, me votua një buxhet me shumë defekte apo mos me votua një buxhet. Dhe ne kemi vendos si Parti Demokratike me jep votën për në leximin e parë të buxhetit. Këtë me qëllim që t’i hapet mundësi përmirësimeve edhe pse s’është e lehtë, është bukur e vështirë. Në draftin që është propozuar është bukur-bukur vështirë, por do ta bëjmë maksimumin që të korrigjojmë me qëllim që mos të bllokohet situata e cila është bllokuar me improvizime, me mungesë të vendimmarrjes, me inate politike dhe njerëzit që presin pagesat, edhe punëtorët e sektorit privat, edhe bizneset, edhe familjet në asistencë sociale, edhe kategoritë tjera të kenë mundësi me i realizua. Prandaj, GP i PDK-së me gjithë vërejtjet dhe shqetësimet që i ka për një dokument të keq të punuar me shumë defekte, do ta jep votën për dhe do të bëjë përpjekje që mes dy leximeve të korrigjohet”, tha Hamza.
Kurse, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati në seancën ku po diskutohej për buxhetin ka thënë se arsyeja pse nuk janë ekzekutuar pagesat, ishte pse deputetët votuan për të rrëzuar Qeverinë Kurti.
Deputetëve që votuan pro mocionit, Murati iu është referuar si “hipokritë”.“Ju të gjithë jeni hipokrit, po të mos ishte rrëzu qeveria do të ishin ekzekutu pagesat”, ka thënë ai.
“Sa për sqarim, paratë që do t’i marrin qytetarët janë dikur 30 milionë euro, e këta po kërkojnë që t’i autorizojmë t’i shpjegojnë 300 milionë euro pa tregu se ku do ti shpenzojnë ato. Këta janë dëshmuar se nuk e kanë interesin e qytetarit prioritet por pasurimin e vetes. Nuk mund të lejojmë keqpërdorim të qindra miliona eurove në emër të disa milionave që do t’i dalin në ndihmë qytetarëve”, shtoi Murati.
Deklarata e deputetit të LVV’së ka nxitur reagime në sallë nga deputetët e koalicionit.Të njejtëve iu ka reaguar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
“Kushdo që e kërkon fjalën mundet me fol, nuk keni nevojë më bërtit as me kërsit”, tha Osmani.
Kujtojmë se sot gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 milionë eurosh është pjesë e këtij buxheti.