×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të jetë Vlora Çitaku gruaja e parë që do ta drejtojë dikur partinë më të madhe në vend

    Reporteri
    15 Korrik 2020 | 14:37

    Partia Demokratike e Kosovës mund të bëhet me kryetar të ri. Kjo, në rast se konfirmohet aktakuza  për krime lufte ndaj Kadri Veselit që Prokuroria Speciale e Hagës, ditë më parë ka njoftuar se ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake.


    Si një nga emrat që është përfolur se mund ta marrë drejtimin e PDK-së është një grua. Bëhet fjalë për ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Siç raportohet në media, emri i saj në mesin edhe të tre emrave të tjerë është duke u diskutuar brenda organeve të partisë.

    Duke qenë gjatë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku  për vite ka mbajtur pozita të rëndësishme në qeveritë e Kosovës, derisa tani mund ta drejtojë partinë që ka qeverisur më së gjati me vendin, shkruan Reporteri.

    Nga viti 2007 deri në vitin 2010, Çitaku ka përfaqësuar elektoratin e PDK-së si deputete në Kuvendin e Kosovës, derisa ka shërbyer edhe si ministre në disa mandate.

    Gjatë viteve 2007 deri në vitin 2009  ka qenë Ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa  nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka shërbyer si ministre e Integrimeve Evropiane.

    Në postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA është emëruar në vitin 2015. Puna e saj në përfaqësimin diplomatik të vendit përgjatë viteve është vlerësuar shumë. Çitaku është vlerësuar sidomos për fjalimet në Këshillin e Sigurimit ku dhjetëra herë është përballur me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

    Kujtojmë, se Partia Demokratike e Kosovës e cila ka qëndruar në pushtet për më shumë se 12 vite ka pësuar një rënie të konsiderueshme në zgjedhjet e 6 tetorit, ku kjo parti doli e treta në nivel vendi.

    Një etapë jo e mirë për PDK, ka nisur që kur drejtimin e saj e mori Kadri Veseli, i cili  zyrtarisht u bashkua me PDK-në më 2012, ndërsa në 27 janar  të vitit 2013 u bë zëvendëskryetar i partisë.

    Drejtimin e partisë, Veseli e mori në maj të vitit 2016, e kjo pas dorëheqjes së Hashim Thaçit,  i cili i largua nga partia që e kishte udhëhequr për 17 vite për t’u bërë president.

    Aktualisht PDK është në opozitë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!