×
  • Sport
  • Sport

    Zhegrova takohet me presidentin e KOK-ut, shpreson në kualifikimin e Kosovës në Evropian

    Reporteri
    18 Korrik 2020 | 17:39

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur në zyren e tij futbollistin e Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, i cili shoqërohej nga babai i tij, Lulëzimi.


    Zhegrova, 21-vjeçar, po bënë karrierë të suksesshme në arenën ndërkombëtare, ku së fundi shkëlqeu me kampionin e shumëfishtë të Zvicrës, Basel, derisa është edhe pjesë e suksesit të Kombëtares së Kosovës.

    Edoni, karrierën e kishte nisur tek Flamurtari i Prishtinës, më pas luajti tek Prishtina, për të vazhduar në Belgjikë tek skuadrat e Gentit dhe Genkut, kurse së fundi ishte i huazuar tek Baseli.

    Presidenti Hasani, duke e falënderuar Edonin për vizitën dhe duke i uruar shëndet dhe suksese në karrierë, tha se për KOK-un kjo është një ditë e veçantë.

    “Ju jeni frymëzim për shumë sportistë të rinj, të cilët duhet të merren me sport. Ju keni treguar se në sport, konkretisht futboll, se nuk mjafton vetëm talenti, por edhe puna, andaj ju uroj së pari shëndet e më pas suksese si me klubin, ashtu edhe me Kombëtaren, me të cilën po ia zbardhni fytyrën Kosovës”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

    Zhegrova falënderoi presidentin Hasani për pritjen, derisa uroi që viti 2020 të jetë i Kosovës.

    “Së pari iu uroj shëndet të gjithëve në këtë kohë pandemie dhe ta kalojnë sa më mirë. Shpresoj poashtu që ndeshjet e radhës që i kemi me Kosovën, bashkë me djemtë tjerë, do ta japim maksimumin dhe t’i bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët, si dhe ta realizojmë ëndrrën tonë për t’u kualifikuar në Evropian”, u shpreh Zhegrova.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!