×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shpërthimi i fuqishëm me 7 të lënduar në Elbasan, vihet në pranga administratori i firmës

    Reporteri
    23 Korrik 2020 | 14:14

    Policia e Elbasanit ka arrestuar sot administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit, në një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan.


    Sipas policisë, aty, gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

    “Bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, janë kryer të gjitha veprimet në vendngjarje. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës”, tha Policia.

    Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

    CFARE NDODHI DJE

    Shpërthen tubi me gaz, plagosen tre punëtorë

    Tre punonjës të një firme private kanë mbetur të plagosur paraditen e djeshme, si pasojë e një shpërthimi në repartin e oksigjenit tek ish-Metalurgjiku në Elbasan. Aksidenti në punë ka ndodhur rreth orës 10:30 të paradites. Të plagosurit janë babë e bir, Osman dhe Eduard Bendaj, 69 dhe 42 vjeç, dhe Qemal Mullahu, 61 vjeç.

    Tre të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Sipas informacioneve të marra nga bluzat e bardha, njeri nga të plagosurit, Osman Bendaj, mësohet se është në gjendje të rëndë për jetën. Nisur nga gjendja kritike, 61-vjeçari ndodhet i shtruar në reanimacion.

    Tekniku i mesëm mësohet se ka plagë në fytyrë nga shpërthimi në repartin e oksigjenit si pasojë e bllokimit të filtrit. Po sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se gjatë punës ka shpërthyer një tub furnizimi me gaz, por nuk ka pasur flakë.

    Menjëherë shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur mbylljen e gazit dhe shmangien e një tragjedie të rëndë e me pasoja në jetë njerëzish. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, teksa paraprakisht dyshohet se ka ardhur si pasojë e një defekti teknik.

    “Në një subjekt privat, në zonën e ishMetalurgjikut, si pasojë e rrjedhjes së gazit janë dëmtuar 3 punëtorë, shtetasit Q.M., 61 vjeç, O.B., 69 vjeç, dhe E.B., 42 vjeç, të cilët janë transportuar në Spitalin Rajonal Elbasan për ndihmën mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikësve kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur mbylljen e gazit dhe shmangien e ndonjë shpërthimi të mundshëm. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

    Ndërkohë, Policia e Elbasanit ka bërë shoqërimin e disa punonjësve dhe administratorit të firmës, të cilët kanë dëshmuar lidhur me defektin e ndodhur me pasojë plagosjen e tre punëtorëve. Këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijojnë e marrin mjekim në ambientet e Spitalit Elbasan.

    Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur nga Policia e Elbasanit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për ngjarjen e rëndë, e cila mund të kishte marrë tri jetë. Ata kanë bërë të mundur marrjen e disa dëshmive në vendin ku ndodhi ngjarja, si dhe mblodhi provat e duhura që mund të shërbejnë në hetim.

    Gjithashtu, grupi hetimor mori dëshminë e dy punonjësve të plagosur, të cilët ndodhen në një gjendje më të mirë shëndetësore. Ata mësohet të jenë shprehur se shpërthimi i tubit ndodhi në një moment kur ata ishin duke punuar. Pas shpërthimit, zjarrfikësja ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe bëri të mundur mbylljen e tubit që kishte shpërthyer, në mënyrë që të shmangej ndonjë tragjedi. M. S.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!