Finalja e Kupës së Kosovës do ta sjellë sonte në orën 17:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” duelin mes Prishtinës dhe Ballkanit, të cilat megjithatë po luftojnë për shumë më shumë sesa vetëm një trofe – e duan edhe daljen në Evropë.
Sezoni 2019/20 në futbollin kosovar do të mbyllet sonte, e mërkurë, me finalen e Kupës së Kosovës. Pas 33 xhirove të zhvilluara në ligë, Ballkani dhe Prishtina mbetën në pozitën e tretë dhe të katërt në tabelë, raporton Gazeta Express.
E përkundër që asnjëra s’i arriti qëllimet e veta përmes ligës, shpresat e asnjërës skuadër nuk janë shuar ende, pasi që fituesi i Kupës së Kosovës e zë një vend në fazat kualifikuese për Ligën e Evropës.
Takimi i parë mes këtyre dy klubeve në këtë sezon u zhvillua më 7 tetor të vitit të kaluar, kur Ballkani triumfoi me epërsi minimale 1:0 kundër Prishtinës në Suharekë, në javën e nëntë të ligës, kur kishte filluar t’i befasojë tifozët e futbollit me formën dhe paraqitjet e mira.
Bardhekaltrit s’arritën të hakmerren për këtë disfatë as në ndeshjen kthyese, e cila u zhvillua më 29 shkurt dhe përfundim me barazim pa gola. Baras (2:2) përfundoi edhe dueli i tretë i sezonit mes këtyre dy skuadrave. Që u zhvillua vetëm para 11 ditësh.
E tani, 11 ditë më vonë, Prishtina do të tentojë ta mposhtë Ballkanin për herë të parë këtë sezon, në mënyrën që ta fitojë për herë të shtatë trofeun e Kupës në tentimin e dhjetë. Me këtë fitore, Prishtina do të garonte për herë të katërt radhazi në Evropë.
Për dallim nga Prishtina, Ballkani s’e ka përvojën e rivalit të vët dhjetë-herë finalist, mirëpo djemtë e Ismet Munishit janë të motivuar ta dëshmojnë veten në Kosovë dhe më vonë edhe në Evropë pas një sezoni mbresëlënës, kur megjithatë në fund e lëshuan titullin.