Drita e Gjilani në konkurrencën e meshkujve dhe KFF Mitrovica (femrat) tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare, ndërsa sonte mësohet edhe skuadra e katërt nga Kosova që do të prezantohet në Evropë, ku përballen në finalen e Digitalb Kupës, Prishtina e Ballkani.
Megjithatë, pandemia COVID-19 po vazhdon të sjellë shumë telashe e sidomos për këto klubet që do të dalin në Evropë.
Rikthimi i masave nga ana e Qeverisë e cila tashmë ndalon të gjitha aktivitetet sportive në ambiente të hapura dhe të mbyllur, i pamundëson skuadrave të stërviten për t’u bërë gati për ndeshjet që nisin në fillim të muajin gusht.
Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu në një bisedë për “Zeri.info”, ka thënë se ky është një problem i madh, madje sipas tij kjo nuk është telashja e vetme pasi ata kanë probleme dhe me viza por edhe me testet për koronavirus të cilat siç dihet shumica e vendeve evropiane nuk i njohin testet që bëhen në vendin tonë.
“Sigurisht që këto masa kanë sjellë telashe të mëdha për klubet. Ne sot do të bisedojmë me Komitetin Ekzekutiv si dhe do të kemi një takim edhe me kryeministrin Avdullah Hoti në ndeshjen finale të Kupës ku do të bisedojmë për hapat që do t’i marrim. Pra ne nuk kemi probleme vetëm me stërvitjet, por janë edhe telashet me vizat. Krahas klubeve të meshkujve, është edhe ekipi i femrave, pastaj testet që duhet bërë për të dalë në Evropë. Duhet shikuar dhe biseduar për të gjetur mundësinë për t’u krijuar kushte klubeve që të përgatiten sa më mirë dhe të përfaqësohen sa më mirë në garat evropiane”, ka thënë Eroll Salihu.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.