Një dekadë më parë askush nuk kishte dëgjuar për Jamie Vardyn.
Tani, ai është sulmuesi më efikas në Premier League, duke e fituar “Këpucën e Artë” pas një sezoni tjetër epik. 33-vjeçari me origjinë nga Sheffieldi për këtë çmim e mposhti Pierre-Emerick Aubameyangun e Arsenalit dhe bëri histori në këtë proces, shkruan “The Sun”.
Vardy u bë lojtari i parë që fitoi “Këpucën e Artë” si në Konferencë (niveli i pestë anglez) ashtu edhe në Premier League (niveli elitar). Edhe në ëndrrat më të mira, ai kurrë nuk do të mund ta imagjinonte që udhëtimi i tij nga Stocksbridge Park Steels, FC Halifax Town dhe Fleetwood Town do ta sillte të Leicester City. Vardy u rrit në afërsi të Hillsborough, shtëpia e Sheffieldit – klubi i tij i djalërisë.
Ai e kishte idhull David Hirstin – një tjetër golashënues i shkëlqyeshëm në Yorkshire – dhe do të pretendonte të ishte legjenda e Sheffieldit në oborrin e shkollës ose rrugën e lagjes kur luante me shokët e tij. Dhe Vardy e pati rastin të shkonte hapave të idhullit të tij pas disa vjetësh.
“Unë doja të isha sikurse Davidi. Unë u rrita me golat e tij dhe kjo për mua është diçka e jashtëzakonshme”, ka pranuar Vardy.
Ëndrra e Vardyt u realizua kur ai gjatë provave e impresionoi drejtorin e atëhershëm të akademisë së Sheffieldit, Clive Baker, që e angazhoi menjëherë në sistemin e të rinjve. Seancat stërvitore dyorëshe u zhvilluan të hënën, martën dhe të enjten natën pas shkollës. Dhe, nëse Sheffield Wednesday nuk do të luante në shtëpi atë fundjavë, Vardy do t’i shikonte nga afër lojtarët që shpresonte të bëhej si ata. Thjesht, ai jetoi dhe mori frymë me klubin. Megjithatë, në vitin 2002 Vardyt iu dha një goditje mizore, që gati nuk e detyroi të hiqte dorë nga futbolli.
“Ishte viti kur më larguan nga akademia, pra në moshën 15-vjeçare. Në takimin e fundit të sezonit me trajnerët, ata me njoftuan me lajmin se nuk do të më mbajnë për shkak se isha shumë i vogël. Ishte gjëja më e tmerrshme”, kujton Vardy. “Pas atij lajmi, ndalova dhe nuk luajta për disa muaj. As në vikend nuk merresha me futboll, sepse mendoja që nuk ka kuptim të vazhdoja me një sport për të cilin nuk jam bërë”.