Vetëm pak ditë pasi Emiljano Shullazi u vendos në regjimin 41 Bis në burg, SPAK ka kërkuar sekuestrimin e një pjesë pasurie që ai ka, duke përfshirë edhe hotel “Vollgën”.
Policia dhe agjencia për pasuritë e sekuestruara, kanë rrethuar sot “Vollgën”, ku kanë vendosur shirita dhe letra që tregojnë se është pasuri e sekuestruar.
Burime zyrtare pohojnë se SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pjesës së hotel “Vollgës” që është në pronësinë e Emiljano Shullazit. Kërkesa për sekuestro vjen në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, pasi Shullazi nuk e justifikon këtë pasuri, pavarësisht se ai ka deklaruar se i është dhuruar nga Ylvi Bejqja.
Prokurorët dyshojnë se Shullazi këtë pasuri e ka marrë nëpërmjet kërcënimeve, derisa Ylvi Beqja vendosi t’i dhuronte me kontratë një 30% të Hotel Vollgës. Shullazi arriti ta regjistronte në hipotekë pjesën e tij te hotel “Vollga”, e cila tashmë i është sekuestruar.
Historia e hotel “Vollgës” nis në vitin 1994 ku ka ndërruar disa herë pasuri dhe dyshohet se një pjesë e dokumenteve zyrtare janë falsifikuar. Godina ka ngelur në gjendje të rrënuar edhe pse ndodhet në një nga zonat më të preferuara në Durrës, pikërisht për shkak të problemeve të pronësisë.