Autoritetet spanjolle kanë ndërmarrë masa të rrepta gjatë kësaj të premteje në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtutjeshme të koronavirusit.
Autoritetet atje urdhëruan mbylljen e klubeve të natës, ndalimin e pirjes së alkoolit në zona publike në natyrë dhe pirjen e duhanit në ambiente ku mbajtja e distancës është e pamundur, shkruan Reuters, transmeton në shqip Reporteri.net.
Infeksionet kanë filluar të rriten pas përfundimit të bllokadës së Spanjës shtatë javë më parë. Pothuajse 3000 raste të reja që u konfirmuan të enjten sollën në 337,334 – numrin total të të infektuarve, shifra më e lartë në Evropën Perëndimore.
Baret dhe restorantet gjithashtu urdhëruan të mbyllen në 01:00 të mëngjesit, si pjesë e kufizimeve të reja, konfirmoi Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa në një konferencë për shtyp.
Ai gjithashtu se ka rekomanduar të mos ketë grumbullim të më shumë se 10 personave dhe në mënyrë specifike paralajmëroi të rinjtë të mos mblidhen jashtë për të pirë alkool, një praktikë popullore e quajtur “botellones”.
“Ne nuk mund të lejojmë të mos jemi të disiplinuar. Nuk mund ta injorojmë virusin që qarkullon midis nesh”, u shpreh Ministri spanjoll i Shëndetësisë, shkruan Reporteri.net.
Rritja e infeksioneve ka çuar në shqetësime që vendi mund të kthehet në situatën e zymtë që përjetoi në fillim të prillit, kur numri i përditshëm i vdekjeve nga COVID-19 u afrua në 1.000.
Të dhënat zyrtare tregojnë se 70 njerëz kanë vdekur gjatë javës së kaluar, duke sjellë numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga koronavirusi në 28.605.
“Situata nuk është e krahasueshme me Marsin dhe Prillin”, tha ministri, duke përmendur se më shumë të rinj tani po infektohen, dhe shumë prej tyre nuk shfaqnin simptoma. /Reporteri.net/.