×
  • Sport
  • Sport

    Shtypi britanik ‘kryqëzon’ Guardiolën, i faturon fajin për humbjen ndaj Lyonit

    Reporteri
    16 Gusht 2020 | 21:40

    Pep Guardiola dështoi sërish të fitojë Ligën e Kampionëve me Manchester City, ndonëse gjatë 4 sezoneve në pankinën e “Citizens” ka shpenzuar rreth një miliard euro dhe ka marrë thuajse të gjithë futbollistët që ka dëshiruar.


    Trajneri spanjoll nuk u ka shpëtuar kritikave të mediave britanike, të cilat e kanë “masakruar” pas eliminimit ndaj Lyonit në fazën çerekfinale të kompeticionit dhe e ka cilësuar si fajtorin e vetëm për humbjen ndaj francezëve.

    “Edhe sa duhet të presim Pep?”, shkruan një nga mediat angleze, duke iu referuar faktit që trajneri spanjoll nuk triumfon më në Ligën e Kampionëve, që kur iku nga Barcelona, skuadër me të cilën e fitoi dy herë trofeun “me veshë të mëdhenj”.

    Një tjetër tabloid kritikon spanjollin për ndryshimin e skemës për ndeshjen ndaj Lyonit dhe lënien në pankinë të disa lojtarëve të rëndësishëm, si Bernardo e David Silva, Otamendi, etj., ndërsa kritikave nuk u shpëtoi as sulmuesi anglez, Raheem Sterling, për shpërdorimin e një rasti me portën bosh.

    Edhe vetë Guardiola në një intervistë të dhënë pak ditë më parë pati pranuar se nëse nuk ia del të fitojë Ligën e Kampionëve me Manchester City-n, mund të quhet i dështuar, ndërsa tani në Angli kanë filluar të hedhin pikëpyetje edhe për të ardhmen e trajnerit spanjoll.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!