Stjuart Smakaj, autori i vrasjes së 23 vjeçarit mbrëmë në Shkodër, Gledis Kraja ka përfunduar në pranga pas disa orësh kërkime nga policia, ndërsa vëllai dhe babai i familjes Smakaj janë ende në kërkim.
Për ngjarjen e rëndë kanë dalë detaje të reja ku thuhet se Stjuart e ka qëlluar aksidentalisht Gledisin i cili është shoku i ngushtë i vëllait, Sebastjan Smakaj. Mësohet se familja Smakaj kishte porositur disa mobilje në një kompani në Shkodër dhe kur ka mbërritur makina, shoferi ka parkuar pranë shtëpsië së vëllezërve Smakaj. Stjuarti i ka kërkuar që të largojë makinën nga aty, por shoferi në debat e sipër ka telefonuar pronarin e kompanisë së mobiljeve.
Pronari ka mbërritur dhe ka vijuar debati për parkimin, ndërsa Gledis Kraja është futur për të ndihmuar vëllain e shokut të tij të ngushtë.
Në një moment Stjuarti shkon në shtëpi dhe merr një armë të tipit kallashnikov dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të pronarit të kompanisë. Por një nga plumbat ka kapur në shpatull Gledis Krajën i cili u dërgua në spital por nuk mundi të mbijetonte.
Njoftimi i plotë nga policia:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, ku humbi jetën aksidentalisht nga përdorimi i armës së zjarrit shtetasi G. K., 23 vjeç.
Fale reagimit në kohë të strukturave të DVP Shkodër, rrethimit të zonës, kontrolleve të shumta në bashkëpunim me FNSH dhe presionit të ushtruar nga forcat e policisë duke mbajtur në rrethim zonën ku fshihej autori, si dhe pas negociatave me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e autorit të ngjarjes së mbrëmshme ku mbeti i plagosur me armë zjarri dhe më pas humbi jetën 23 vjeçari G.K.
Nga strukturat e DVP Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe arrestimi i autorit, shtetasit S. S., 23 vjeç, banues në lagjen “Perash”.
Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin D. H., ku si pasojë aksidentalisht ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi G.K., 23 vjeç banues në lagjen “Perash”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarri , automjetet të cilat janë të palëve në konflikt, si dhe vijon puna intensive për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.