Ambasada ruse në Shqipëri ka zbardhur telefonatën mes Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe kryeministrit Rama, i cili propozoi si kryesues i presidencës së OSBE-së, hapjen e një dialogu mes opozitës e qeversisë në Bjellorusi.
Ambasada thotë se Lavrov i ka bërë të qartë Ramës se nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Bjellorusisë, ndryshe nga çfarë u raportua në disa media.
“Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama. Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.
Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas” shkruan ambasada ruse në Tiranë.