Ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, udhëhiqte mesfushën e SJK-së. Në skuadrën rivale, një futbollist që në të ardhmen mund të paraqitet te Kosova, po shkëlqente në krahun e majtë të sulmit.
Arlind Sejdiu ishte prej më të mirëve te Honka, në ndeshjen e xhiros së tetë të kampionatit të Finlandës, të luajtur më herët këtë muaj.
Sejdiu 19-vjeçar është pjesë e një familjeje që ka dhënë shumë për futbollin kosovar. Arlindi është i lindur në Finlandë dhe ende po e mëson futbollin në këtë vend. Stili i Arlindit dallon prej atij që e luajnë shumica e skuadrave finlandeze, por njerëzit pranë tij vlerësojnë se te Honka po zhvillohet si duhet.
Në të vërtetë, në Finlandë, Suedi e Norvegji zhvillohen shumë futbollistë nga Kosova. Disa prej tyre depërtojnë edhe në përfaqësuese të Kosovës e ndonjë edhe në përfaqësueset e këtyre vendeve. Arlind Sejdiu është njëri prej tyre.
Ai ka ndeshje për U-16, U-17 dhe U-18 të Finlandës. Tani është te U-19 dhe llogaritet prej lojtarëve kryesorë të saj.
Në edicionin e këtij viti të kampionatit finlandez, Sejdiu ka luajtur në tetë prej dhjetë ndeshjeve. Ka një asistim deri më tani, por me shpërthimet në krah shpesh e ka bërë dallimin.
“Ndaj SJK Seinajoki, Arlind Sejdiu ishte lojtari më i mirë në fushë”, thotë Elvis Osmani, ikonë e futbollistit mitrovicas, që tashmë jeton në Finlandë. Osmani përcjell rregullisht ndeshjet e kampionatit finlandez dhe mund të japë një vlerësim për talentin që po vjen.
“Prej kur Arlindi ishte në grupmoshat e reja të Honkas është vërejtur se ka potencial të madh. Karakteristikë e tij është shpejtësia. Është i fortë në lojën një kundër një. Mediat finlandeze e vlerësojnë shumë, por edhe tifozët po ashtu. Shpresoj që një ditë do ta shohim te Kosova”, ka shtuar Osmani, që përcjell rregullisht edhe ndeshjet e Superligës së Kosovës. /Reporteri.net/