×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhi Shala: Hetuesit ndërkombëtarë më kërkuan edhe në fshatin tim, më pas i kontaktova

    Reporteri
    24 Gusht 2020 | 23:55

    Deputeti i AAK-së, Haxhi Shala, ka dhënë detaje të tjera lidhur me ftesën që së fundi iu bë nga Prokuroria Speciale për intervistim.


    Shala përmendi që është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa theksoi për Klan Kosovën që do të intervistohet për periudhën e fillim vitit ’98-të deri në fundvitin e 2000-ës.

    ”Sot në mesditë pranova një telefonatë ku dhe i kam takuar personalisht hetuesit ndërkombëtarë që gjenden në Kosovë. Ku më 8 shtator do të paraqitem në Hagë. Në ftesën që kam, jam i ftuar si i dyshuar. Detaje nuk ka vetëm do të intervistohem nga janari i ’98-ës deri në dhjetor të 2000-ës”, tha Shala për Klan Kosova.

    Ai tha se nuk e di dhe çfarë dyshimesh kanë, por shtoi se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, mund të ftohen dhe intervistohen për të gjitha pretendimet e tyre.

    Shala më tej rrëfen se si u ftua nga Prokuroria e Specializuar, ndërsa pohon se hetuesit ndërkombëtarë në Kosovë, e kërkuan edhe në fshatin e tij.

    ”Tri orë pasi publikova postimin tim që nesër nuk do të ketë tubim të organizuar, por vetëm homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, pastaj mora telefonatën nga hetuesit ndërkombëtarë që duhet të takohem dhe të marrë ftesën”.

    ”Pak më herët kishin qenë edhe në fshatin tim, Banjë. Vëllai im më tregoi se ”më kanë kërkuar hetuesit ndërkombëtarë”, më dha numrin e tyre kontaktues, i thira vetë dhe i takova në Prishtinë dhe e mora ftesën”.

    ”Menjëherë pas publikimit të informatave, se s’do të ketë organizim për shkak të virusit, atëherë edhe mora ftesën nga Prokuroria Speciale”.

    I pyetur se a beson në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, ai tha se “jo vetëm unë por të gjithë bashkëluftëtarët tanë, besojnë në pafajësinë tonë sepse kemi bërë një luftë të drejtë dhe të pastër. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër”.

    Ish-komandanti i brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut, tha se ftesa e tij nuk ndërlidhet asgjë me adresimin publik të Presidentit Hashim Thaçi.

    Kjo meqë me të përfunduar reagimet për mbylljen e Dhomave të Specializuara, u bë publik njoftimi i Haxhi Shalës për ftesë nga Specialja.

    ”Kjo është rastësi, sepse unë në rrugë isha kur e lëshova këtë njoftim. Isha duke u përgatitur në manifestimin e 22 vjetorit të ditës së Brigadës 121. Ndërsa statusin e Presidentit Thaçi e pashë tani”, tha ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!