Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës amandamentimin e një neni të Kushtetutës së Kosovës që ka të bëjë me mandatin e Dhomave të Specializuara.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net bëhet e ditur se Presidenti i ka dërguar shkresë Kuvendit të Kosovës, ku propozon një amendament për ndryshimin e nenit 162, paragrafi 13.
Presidenti Thaçi i propozon Kuvendit të Kosovës këtë amendament “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, në shkresën dërguar Kuvendit të Kosovës thuhet që amendamenti të adresohet për kontroll Kushtetues para se të vihet për aprovim në Kuvend.
“Ju lutem të ndërmerrni masa që këto amendamente në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të adresohen për kontroll kushtetues para se amendamentet të vihen për aprovim në Kuvend”.
Më poshtë mund ta lexoni paragrafin 13 të nenit 162, që është kërkuar të amandamentohet.
Ndryshe, mbrëmë presidenti Thaçi ju adresua opinionit, ku kërkoi nga Kuvendi i Kosovës, që mandati i Dhomave të Specializuara të zgjasë deri në njoftimin për mbylljen nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. /Reporteri.net/.