×
  • Lajme
  • Shqipëria

    5 viktima dhe 154 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

    Reporteri
    25 Gusht 2020 | 16:48

    Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar 154 raste të reja me Covid-19, ndërkohë pesë qytetarë kanë humbur jetën.


    Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” në vend po marrin trajtim 160 pacientë të konfirmuar pozitivë me coronavirus, ku 13 janë në terapi intensive dhe katër të tjerë në intubim.

    Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, konfirmoi se 117 qytetarë të tjerë e kanë fituar betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4530 që nga fillimi i epidemisë.

    Sipas saj, Tirana vijon të mbetet vatër e nxehtë e coronavirus, ku nga 154 raste ditore të regjistruara, 94 prej tyre janë evidentuar në kryeqytet.

    Autoritetet shëndetësore që nga shfaqja e rastit të parë dhe deri sot kanë kryer 57 874 testime të dyshuara, ndërkohë mbi 8700 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Ministria e Shëndetësisë theksoi se deri tani kanë humbur jetën nga coronavirus 2590 qytetarë, kurse Tirana zë vendin e parë, e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra.

    Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

    Tiranë-1994

    Durrës-510

    Shkodër-304

    Fier-180

    Lezhë-176

    Korçë-191

    Vlorë-142

    Kukës-140

    Elbasan-155

    Berat-78

    Gjirokastër-49

    Dibër-51.

    Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi që zhvilloi sot me mjekë dhe infermierë të Spitalit Infektiv u shpreh se, qeveria po bën përpjekje për të siguruar vaksinën kundër Covid-19, kur ajo të jetë gati. Ai tha se krahas kësaj, po hartohet edhe një plan tjetër për të vaksinuar falas kundër gripit stinor shtresat më vulnerabël (të dobëta) të shoqërisë, të cilat rrezikojnë më shumë nga infeksioni i Covid-19.

    “Ne kemi marrë masa për të rritur kapacitete vaksinuese për të lehtësuar gripin e stinës. Një trup më vulnerabël e merr goditjen më të fortë. Kemi vendos një financim të konsiderueshëm për vaksinim falas. Kemi bërë një rezervim për vaksinën e Covid-19 kur të dalë. Pa llogaritur kompetentët e “Facebook”, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur,” theksoi Rama. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!