Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ndaj partive opozitare që të dërgojnë nga një përfaqësues për takimin e 4 shtatorit në Washington.
Krasniqi për Gazetën Online “Reporteri.net”, tha se ftesa mund të interpretohet në forma të ndryshme, si vullnet i mirë për të krijuar një ekip gjithëpërfshirës, por edhe si dobësi e Hotit që përpiqet të fshihet përmes një ekipi ku përfshihet edhe opozita.
Sipas tij, në këtë rast ajo që duhet të vlerësohet më shumë është vullneti i mirë, pasi që në këtë mënyrë mund të ketë një përfaqësim sa më unik, pasi që takimi në Washington ka shumë të panjohura dhe një ekip sa më i fuqishëm i përballon më lehtë presionit dhe zhvillimeve me të cilat mund të përballen.
Kryeministri Hoti gjatë një konference për medie ka bërë të ditur se ka kërkuar nga partitë opozitare që t’ia propozojnë dikë të cilin mund ta marrë me vete në takimin me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.
Ai ka thënë se delegacioni i cili do të udhëtojë për në Washington nuk është caktuar ende, por ai do të jetë gjithë përfshirës.
E deri më tash, ftesës së Hotit i është përgjigjur negativisht Lëvizja Vetëvendosje.
Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu, ka thënë për Reporteri-n se kjo Qeveri është jolegjitime dhe VV nuk do të jetë pjesë e takimit.
Reporteri ka tentuar që të kontaktojë edhe me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës për të mësuar nëse do pranojnë ftesën e Hotit, por që deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ndërkaq, 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. /Reporteri.net/