Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti për të iu bashkuar delegacionit të Kosovës në takimet në takimin e 4 shtatorit në Washington dhe atë të 7 shtatorit në Bruksel.
Hoti u ka shkruar letër sot partive opozitare PDK dhe Vetëvendosje që edhe ato të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Përderisa nga Vetëvendose e kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Hoti me arsyetimin se ai nuk ka legjitimitet për ta përfaqësuar Kosovës, në Partinë Demokratike po mbretëron heshtje varri.
Reporteri.net ka provuar që të kontaktojë me disa nga zyrtarët dhe deputetët e kësaj partie për të marrë qëndrimin e tyre, por asnjëri nuk u është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve. Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi e as zëdhënësi i partisë, Avni Bytyçi nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë që kohëve të fundit është diskutuar shumë përfshirja e PDK në qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Kryeministri Avdullah Hoti sot ka kërkuar nga partitë opozitare që t’ia propozojnë dikë, që ai ta marrë me vetë në takimin me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.
Hoti akoma nuk e ka caktuar delegacionin me të cilin do të udhëtojë në Washington për takimin e 4 shtatorit, por thotë se ai do të jetë gjithëpërfshirës.
“Jemi duke e finalizuar delegacionit, që kryesohet nga unë, në bazë të Kushtetutës. Do të përfshihen të gjithë, pa përjashtim”, ka thënë kryeministri në konferencë për media.
Ai ka treguar se ka dërguar letra te partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e PDK-ja për t’i propozuar përfaqësues që do të përfshiheshin në delegacion.
“Unë sot për informimin tuaj kam dërguar letra te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre. Do të jem i hapur që të krijojmë një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcat politike”. /Reporteri.net/