×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas VV-së edhe PDK-ja i thotë jo takimit në Washington

    Reporteri
    27 Gusht 2020 | 15:56

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer sot përgjigje kryeministrit të Kosovës, i cili ka kërkuar që PDK të delegoj një përfaqësues të saj në procesin e dialogut që do të zhvillohet më 4 shtator në Washington dhe më 7 shtator në Bruksel.

    Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, nëpërmjet përgjigjes zyrtare, ka rikonfirmuar qëndrimin zyrtar dhe të njohur të PDK-së, se mbështetë fuqishëm angazhimin e SHBA-së dhe BE-së në procesin e dialogut si partnerë strategjik ndërkombëtar.

    Veseli ka thënë se PDK do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

    “Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Veseli.

    Letra e plotë e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kryeministrin Avdullah Hoti:

    I nderuari z. Hoti,

    Po ju shkruaj në përgjigje të letrës suaj rreth pjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Uashington dhe 7 shtatorit në Bruksel.

    Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës

    Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

    Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
    Me respekt,

    Kadri Veseli
    Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!