Aktivistë të shoqërisë civile kanë dorëzuar në Prokurori peticionin bashkë me listën e nënshkruesve “Drejtësi për Kujtimin”.
Gazmend Qyqalla, aktivist i shoqërisë civile tha se në njëvjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të 11 vjeçarit nga Fushë-Kosova, kishin nisur një peticion për të kërkuar drejtësi për Kujtimin.
Ai ka sqaruar se peticioni i dorëzuar është nënshkruar nga më shumë se 1 300 qytetarë dhe se përmban tri kërkesa.
“Policia dhe Prokuroria t’i kërkojnë falje publike familjes për shkelje të të drejtave të tij në jetë dhe neglizhim të rastit”.
“Nga Kryeprokurori i Shtetit kërkojmë inicim të hetimeve të pavarura penale si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Kosovë”.
“Si dhe nga Qeveria e Kosovës kërkohet kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”.
Kurse Rina Kika, avokate e familjes Veseli tha se kanë bërë kërkesë për zgjerim të aktakuzës ndaj O.S i dyshuar për vrasjen e Kujtim Veselit, pasi që aty nuk përfshihet dhunimi, por vetëm vrasje e tij.
“Ne konsiderojmë që patjetër duhet të përfshihet edhe dhunimi, ngase aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson në plotëni përgjegjësinë penale”.
Ajo ka treguar se seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 9 shtator, raporton EO.
“Në këtë seancë ne do të kërkojmë nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor për vrasje, ngase këtë e dëshmojnë edhe të gjitha provat e prezantuar deri më tash”.
Më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa” të Fushës Kosovës, ishte gjetur i vdekur 11 vjeçari Kujtim Veseli.
Ai dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra. /Reporteri.net/