Një vit i ri shkollor, krejt i ndryshëm nga të tjerët, nisi mëngjesin e sotëm në shumë shtete evropiane. 12.4 milionë nxënës në Francë iu drejtuan bankave të shkollës pas pushimeve të gjata verore.Presidenti Emmanuel Macron tha se sfidat janë të panumërta, por ai u bëri thirrje të gjithëve të tregojnë të njëjtën përgjegjësi si në muajt paraardhës.
“Mos kini frikë!”, ishte mesazhi që u përcolli prindërve ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer. Franca regjistroi 3082 raste të reja me koronavirus të hënën, një rënie e ndjeshme krahasuar me javën e kaluar kur pati deri mbi 5 mijë infektime ditore.Italia nis të hënën me kurset e prapambetura, testi i parë pas izolimit. Por prova e vërtetë do të jetë më 14 shtator kur do të bien zyrtarisht zilet në gati të gjitha shkollat. Nxënësit do të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit dhe do të mbajnë maskë nëse ruajtja e distancës nuk do të jetë e mundur.
Kapaciteti i transportit publik është rritur me 80 për qind për t’ua mundësuar nxënësve rikthimin në shkolla. Në Belgjikë, mbi 1.2 milionë nxënës iu rikthyen bankave, me rregulla që ndalojnë ndryshimet e klasave mes leksioneve e kërkojnë ajrosje të rregullt të ambienteve dhe mbajtjen e maskave edhe gjatë mësimit.1 shtatori është tradicionalisht dita e parë e shkollës edhe në Rusi, e ky vit nuk bëri ndryshim. Por festimet e përvitshme u shmangën, ndërsa numri i të infektuarve në vend iu afrua 1 milionëshit.
Gjithashtu 1.4 milionë fëmijë në Wuhan, qytetin ku e pati origjinën koronavirusi, u rikthyen në shkolla e kopshte më 1 shtator. Nxënësve u kontrollohet temperatura, ndërsa mbajtja e maskës nuk do të jetë e detyrueshme.