×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti vet i 8-ti në Washington, delegacioni serb shkon me vetëm 4 anëtarë

    Reporteri
    02 Shtator 2020 | 12:00

    Delegacioni i Kosovës në krye me Avdullah Hotin kanë mbërritur qysh të hënën në Uashington, ku pritet që pas dy ditësh të dialogojnë me përfaqësuesit serbë në Shtëpinë e Bardhë.


    Në takimin që do të mbahet të premten, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti do të jetë vetë i teti në delegacionin kosovar.

    Ai po shoqërohet nga zv. kryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi. Pjesë e delegacionit është edhe Koordinatori Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni.

    Dyfish më pak do të jetë numri i anëtarëve të delegacionit serbë të cilët tek nesër pritet të nisen për në Uashington, shkruan Reporteri.

    Në krye të delegacionit serb do të jetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, Ministri i Financave, Sinisha Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadezh.

    Të dy palët kanë theksuar se takimi do të jetë më shumë i karakterit ekonomik.

    Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik, 20 muaj pasi ishte ndërprerë. /Reporteri.net

     

    .

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!