Në takimin e delegacioni të Prishtinës dhe Beogradit me zyrtarë të lartë të SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë, ka rënë në sy një detaj interesant, mënyra se si ishin rregulluar vendet e uljes për pjesëmarrësit, shkruan Reporteri.
Në njërën anë të tryezës, ishin të dy delegacionet, Prishtina dhe Beogradi, me udhëheqësit Avdullah Hoti e Aleksandar Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tyre pranë, ndërsa përballë tyre, në anën tjetër të tryezës, ishin ulur i Dërguari i Presidentit të SHBA-ve për Dilaogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien me ekipin e tij.
Një rregullim i tillë i ulëseve nuk ishte i zakonshëm në negociatat diplomatike dhe dialogun mes dyja vendeve.
Në dialogun e Brukselit, palët, uleshin në dy anët e kundërta të tryezës, dhe përfaqësuesi i BE-së si ndërmjetës – në krye të tryezës, i vetëm.
Ndryshe takimi në SHBA do të vazhdojë edhe sot e ku pritet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve ekonomike. Tashmë është konfirmuar se në takim do të marrë pjesë dhe presidenti i Amerikës, Donald Trump.