Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me një goditje të dytë mbi rastet në rritje të koronavirusit, nëse të rinjtë nuk ndjekin rregullat e distancimit shoqëror, – paralajmëroi ministri i Shëndetësisë.
Kudo në Evropë, të rinjtë janë parë si shqetësimi kryesor i përhapjes, edhe në Shqipëri.
Rihapja e shkollave dhe universiteteve mund të ndikojë edhe më keq, mbi menaxhimin e situatës.
Një e treta e të gjitha rasteve në Angli javën e kaluar ishin të moshës midis 20 dhe 29 vjeç.
“Shifrat janë rritur. Dhe ne kemi parë se po ndodh e njëjta gjë edhe në vendet e tjera, dhe nuk është gjë e mirë,” – thotë Matt Hancock.
Studentët që filluan universitetin këtë muaj, janë një “shqetësim”, – shtoi ai.
Duke folur për Radio “1 Nesbeat”, ministri i Shëndetësisë Britanike vuri në dukje rastet e fundit në Francë dhe Spanjë, “ku vala e dytë filloi kryesisht midis të rinjve, e më pas u përhap”.
“Tani po shohim një rritje të dukshme të numrit të njerëzve që shtrohen në spital dhe të atyre që po vdesin (Spanjë e Francë)”.
“Kjo nuk ka ndodhur ende këtu. Dhe nëse njerëzit ndjekin rregullat e distancimit social, atëherë mund të ndalojmë që kjo të mos ndodhë.”
Të dielën qeveria Britanike njoftoi 2,988 raste të reja – shifra më e lartë që nga 22 maji.
Ekspertët po monitorojnë shkallët e infektimit në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe po vendosin kufizime në vendet, ku numri i rasteve me koronavirus po rritet.
Leeds i është shtuar listës së bllokimit. Zyrtarët thanë se kishte pasur një rritje të koncerteve, ahengjeve në banesa, si dhe festave të paligjshme në qytet.
Ndërkohë, deri në 300 persona që morën pjesë në një ndeshje bamirësie futbolli pranë Sunderland u është kërkuar të vetë-izolohen për dy javë, pasi 28 persona që morën pjesë në atë ngjarje rezultuan pozitivë me Covid.
Dhe një shkollë në Suffolk është mbyllur pasi pesë anëtarë të stafit mësimdhënës pas testit, rezultuan pozitivë me koronavirus.
“Nëse Covid zgjat shumë, është vërtet serioze. Dhe njerëzit mund të ndihen keq duke pritur për muaj, muaj dhe muaj”, – tha ministri britanik.
“Mesazhi i dytë i rëndësishëm është që të rinjtë përhapin sëmundjen, edhe nëse nuk kanë simptoma”.
“Mos i vrisni të moshuarit duke marrë irusin dhe më pas duke e transmetuar atë. Ju mund ta kaloni pa pasur ndonjë simptomë”, tha ministri në mesazhin drejtuar të rinjve.
Ekspertët parashikojnë një dimër më të egër, nisur nga gripi sezonal, ndërkohë shpresohet që deri atëherë vaksina të jetë gati.
Foto: Studentë në një universitet të Britanisë së Madhe