×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti takohet me Stoltenberg, diskutojnë për dialogun dhe Marrëveshjen e Washingtonit, nuk përmendet Karaçeva

    Reporteri
    08 Shtator 2020 | 17:23

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka pritur sot në takim në Selinë e NATO-s në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.


    Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

    “Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg përshëndeti raundin e fundit të bisedimeve të ndërmjetësuar nga BE-ja, në mes Beogradit dhe Prishtinës i cili u zhvillua të hënën në Bruksel, duke nënvizuar se dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin për media.

    Stoltenberg dhe Hoti diskutuan gjithashtu për marrëveshjen e arritur në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës.

    Stoltenberg theksoi se NATO është e vendosur për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor përmes forcës paqeruajtëse të KFOR-it me 3.500 trupa në Kosovë.

    Ai shtoi se mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar: të mbajë një mjedis të sigurt dhe të siguroj lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999.

    Duke folur për pandeminë COVID-19, Sekretari i Përgjithshëm mirëpriti që Aleatët dhe partnerët e NATO-s tashmë kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme mjekësore për të ndihmuar institucionet në Kosovë dhe se KFOR-i gjithashtu po ofron mbështetje të drejtpërdrejtë në shpërndarjen e furnizimeve.

    Ai shtoi se NATO tani po shikon se si Aleanca mund të mbështesë më tej Kosovën në luftimin e pandemisë COVID-19.

    Duke e vlerësuar rolin e Aleancës Veriatlantike për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kryeministri Avdullah Hoti theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike dhe synimin që Kosova sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s. Në fund të këtij takimi, kryeministri Hoti e ftoi Sekretarin Stoltenberg të vizitojë Kosovën, sa më parë që t’i jepet rasti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!