Komisionari për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, sot ka pasur diskutime të jashtëzakonshme. Ai i ka thënë Hotit se BE-ja është e gatshme të punojë me Kosovën pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.
“I kënaqur për progresin që është bërë në takimin e së hënës në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, ka thënë Varhelyi pas takimit.
Tutje, Varhelyi ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, në mes të Kosovës dhe Serbië, BE’ja është e gatshme që të punojë drejt pajtimit të këtyre dy shteteve.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë, BE është e gatshme që të punojnë në rrugën e përbashkët për avancim drejt zhvillimit ekonomik dhe pajtimit”.
Ndërsa Hoti gjatë takimit me Varhelyin kërkoi vizat për qytetarët e Kosovës.
E sipas njoftimit të Qeverisë, të dy biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend.
Kryeministri Hoti e ka njoftuar komisionerin Varhelyi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID 19, për masat që janë ndërmarrë dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Në emër të qeverisë, kryeministri Hoti i ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen financiare dhe teknike që i kanë dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë.
Ai, po ashtu, ka shtruar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse popujt e tjerë, pasi që janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara.
Kryeministri Hoti ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, e cila paraqet një akt të vullnetit të mirë për të ecur më tej drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të dy vendeve, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.