Anëtari i kryesisë i Lëvizjeve Vetëvendosje, Xhelal Sevçla ka thënë se marrëveshja në Washington e arritur më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë, është thjeshtë pazar ditor i SHBA-ve.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje është arritur thjeshtë për të portretizuar administratën Trump si të suksesshme në politikat e jashtme. Ai ka thënë se heqja dorë nga zotimet e marra nga ajo marrëveshje, nuk do të prishë marrëdhënien me SHBA-në.
“Unë jam i bindur që në momentin që ne tregojmë zotësi në arsyetimin e këtij kundërshtimi, në momentin kur ne realisht bindim ndërmjetësuesin, se këto realisht nuk mund t’i themi as marrëveshje, dëmtojnë substancën e Kosovës, unë mendoj se nuk është as në interesin e SHBA-së që Kosova si shtet i cili është pavarësuar edhe me kontribut të SHBA-së, ndoshta prej gjithë aleatëve kontributin më të madh të tyre, të dëmtohej. Por nëse t’i problemit i qasesh se pavarësisht çfarë unë pajtohem, atëherë normalisht se pesha rëndon në anën tjetër. Ne në asnjë moment nuk duhet të mendojmë se Serbia është mik apo aleat më i afërt me SHBA-në. Por qeveria serbe është më këmbëngulëse në kërkesat e saj. Por në këtë kohë të një fushate parazgjedhore, kur ekipit të Trumpit i duhen sukseset, atëherë përparësitë janë krejt tjera. Siç u munduan që këtë marrëveshje ta portretizojnë si sukses historik , e pastaj shfaqën mllef ndaj mediave në Amerikë meqë nuk është pasqyruar ashtu, kjo tregon se sukseset momentale janë shumë të rëndësishme për administratën Trump, por ne nuk duhet të bëhemi pre e këtyre nevojave imediate të tyre. Besojmë në një aleancë afatgjate me SHBA-në. Besojmë në vlerat”, ka thënë Sveçla.
“Tashmë është e qartë se kjo marrëveshjeve është në vazhdë të disa marrëveshjeve apo të arriturave siç Grenell i quan në politikën e jashtme të administratës amerikane, që kjo administratë të portretizohet e suksesshme në politikat e jashtme, pra është aq, pazar ditor. Ne nuk duhet të bëhemi pre e këtyre nevojave. Por kjo nuk duhet të hedh dyshime mes popullit shqiptar e atij amerikan, mes shtetit të Kosovës dhe atij të Amerikës, por miqësinë duhet ta bazojmë në vlera më afatgjata”, ka deklaruar ai.