Një ditë pasi kanë hyrë në selinë e OVL të UÇK-së për të marrë dosjet e rasteve që ndërlidhen me Gjykatën Speciale, hetuesit e kësaj gjykate kanë zbarkuar edhe në zyrat e Gazetës InFokus për t’i marrë të njëjtat dosje, të cilat gazeta i ka siguruar nga OVL e UÇK-së.
AktivPress mëson se dy hetues të Speciales e kanë kryer këtë aksion para pak çastesh.
InFokus, ndonëse i ka pas këto dosje nuk i ka keqpërdorur për të dëmtuar procesin e hetimeve, as për t’i zbuluar dëshmitarët e mbrojtur.
Drejtuesit e OVL të UÇK-së kanë konfirmuar se dosjet u janë shpërndarë tri mediave, me kushtin që ato të mos i zbulojnë të dhënat e dëshmitarëve të mbrojtur.
Ndërkohë njeriu që i solli rreth 4 mijë dosjet në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdon të mbetet mister.
Gjatë ditës së djeshme, një pako me rreth 4 mijë dosje është lënë në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person i panjohur.
Aty u tha se gjenden emra të dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, gjë që e konfirmoi edhe Hysni Gucati, shkruan Reporteri.net.
E momentin e sjelljes së kësaj video e ka siguruar Reporteri.net, ku shihet një person i cili ka mbuluar fytyrën me maskë dhe syze lë pako me dokumente në këto zyra.
Ai shihet teksa futet qetë me pako në dorë, të cilat i lë dhe largohet nga erdhi, dukë lënë një paralajmërim. Në atë paralajmërim ishte thënë se ditëve në vijim do të vinë edhe rreth 7 mijë dosje.
Menjëherë me t’u raportuar në zyrat e OVL-UÇK-së kanë ardhur zyrtarë të EULEX-it që janë të autorizuar nga Gjykata Speciale, dhe kanë marrë këto dosje.