Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës (WWF) ngre alarmin mbi rrezikun që po i kanoset botës së egër. Në një raport të fundit nga WWF thuhet se popullsia e botës së egër humbi rreth dy të tretat e saj gjatë pesëdhjetë viteve të fundit si rrjedhojë e shkatërrimit të mjedisit. Për të ndaluar këtë katastrof kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente.
Në raportin mbi “Gjendjen e Planetit 2020” WWF janë të shqetësuar me faktin se prej vitit 1970 popullsitë globale të gjitarëve, zogjve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqëve janë pakësuar me rreth dy të tretat.
Shkatërrimi dhe degradimi i habitateve natyrore, shpyllëzimi, bujqësia e paqëndrueshme dhe gjuetia apo tregtia e paligjshme e kafshëve të egra konsiderohen faktorët kryesor të kësaj gjendjeje.
“Raporti mbi Gjendjen e Planetit 2020 nënvizon se si shkatërrimi në rritje i natyrës nga njerëzimi po sjell ndikime katastrofike jo vetëm në popullatat e botës së egër, por edhe në shëndetin e njeriut dhe të gjitha aspektet e jetës sonë,” – është shprehur Marco Lambertini, Drejtori i Përgjithshëm, WWF International duke theksuar se këto të dhëna paralajmërojnë dështimin e sistemeve. Raporti poashtu vë në dukje se biodiversiteti i ujërave të ëmbla po bie shumë më shpejt se ai i oqeaneve apo pyjeve. Prej vitit 1970 përllogaritet se rënia mesatare e popullatave të specieve të ujërave të ëmbla ka rënë me rreth 68 për qind.
Përmbytjet, thatësirat, ndërtimet, peshkimi, dhe shfrytëzimi i ujërave të ëmbla për prodhim energjie apo dhe konsum konsiderohen ndër faktorët kryesor për këtë gjendje, ku situata nuk paraqitet ndryshe as në rajonin tonë.